Rritja e çmimit të naftës do të ushqejë një valë të re inflacioni në Shqipëri
Rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare po transmetohet shpejt në ekonominë shqiptare dhe mund të nxisë një valë të re inflacioni.
Sipas një analize të ALTAX, Shqipëria është një ekonomi që ndjek çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe nuk ka ndikim në formimin e tyre. Për shkak të varësisë së lartë nga importet, çdo rritje e çmimit të naftës reflektohet shpejt në kostot e transportit, prodhimit dhe në çmimet e mallrave të konsumit.
Energjia konsiderohet një input që prek pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Në Shqipëri, për shkak të strukturës së përqendruar të tregut të karburanteve dhe konkurrencës së kufizuar, rritjet e çmimeve nga tregjet ndërkombëtare kalojnë shpejt te konsumatori, ndërsa uljet reflektohen më ngadalë.
Goditje e fortë për bujqësinë
Bujqësia pritet të jetë një nga sektorët më të prekur. Rritja e çmimit të karburanteve rrit kostot për makineritë bujqësore, transportin e prodhimeve dhe për inpute të importuara si plehrat kimike, pesticidet dhe farat.
Historikisht, në periudha të krizave energjetike kostot e fermave mund të rriten me 20–30 për qind, duke çuar në ulje të prodhimit dhe rritje të çmimeve të ushqimeve.
Efekti në industrinë ushqimore dhe blegtorinë
Rritja e kostove prek gjithashtu industrinë e përpunimit agro-ushqimor, ku fabrikat përballen me shpenzime më të larta për transport dhe energji.
Edhe blegtoria ndikohet përmes rritjes së kostove të ushqimit për kafshët dhe transportit, çka në periudha krize ka sjellë ulje të prodhimit të mishit dhe qumështit në disa zona.
Masat për të zbutur efektet
Sipas analizës, nëse kriza energjetike zgjat, prodhimi bujqësor mund të bjerë me 10–20 për qind, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi inflacionin.
Për të zbutur efektet rekomandohen masa si subvencionimi i pjesshëm i karburantit për fermerët, investimet në energji diellore për ujitje dhe sera, krijimi i rezervave për inputet bujqësore dhe përmirësimi i logjistikës rurale.
Gjithashtu sugjerohet përdorimi i kredive të buta dhe garancive sovrane për investime në teknologji më efikase energjetike, ku rol mund të luajë edhe Banka Shqiptare e Zhvillimit.